Alsat 2019-08-22T15:54:06+02:00
Këshilli i Prokurorëve Publik sot ka dërguar kërkesë tek Kryeprokurori i shtetit Lubomir Joveski dhe Shefja e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion Vilma Ruskovska, për të dhënë sqarime lidhur me statusin e kreut të PSP-së Katica Janeva. Edhe pse mbrëmë pas shqiptimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Janevën, Ruskovska tha se do ta njoftojnë Këshillin gjatë ditës, nga Prokuroria Themelorja thanë se raporti është duke u përgatitur për tu dërguar nesër.
Duke pasur parasysh që gjatë procedurës para hetimore dhe hetimore nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion janë marrë një seri veprimesh, Prokuroria Themelore Publike propozimin do ta dorëzoj tek Këshilli nesër në mëngjes”-thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Në momentin që Këshilli i Prokurorëve Publik do të merr njoftimin, Kryetari Kole Shterjov tha se do të thirr seancë në të cilën do të filloj procedura për shkarkimin e Janevës, në bazë të konstatimeve për kryerje të paligjshme, joprofesionale dhe jo etike të detyrës, sipas nenit 18, të Ligjit të PSP-së.
Sipas tij, Ligji i PSP-së është sjell “brenda natës” dhe ka zbrazëtira ligjore që mundësojnë taktizimin e institucioneve.
Kjo është vetëm procedura për shkarkim. Kur, si dhe në çfarë rrethana do të zgjidhet ushtruesi i detyrës, mos të shpejtojmë tani. Unë mendoj se nuk ka kushte të vendosim për ushtrues detyre. Tani vjen në shprehjen neni 18 të Ligjit të Prokurorisë Publike, ku thuhet se mund të bëhet ndërprerja e parakohshme e funksionit”- pohoi Kole Shterjov, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Kryeprokurori Lubomir Joveski sot i tha Alsatit se afate ligjore nuk ka por duhet sa më shpejtë të zgjidhet kjo çështje. Ndërkaq, lidhur me deklaratën e djeshme të tij ku tha se në situatat kur ka zbrazëtira juridike në Ligjin e PSP-së vjen në shprehje Ligji i Prokurorisë Themelore, nuk pajtohen nga partia opozitare e VMRO DPMNE-së. Ilija Dimovski tha se duhet të ketë zgjidhje politike në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, në krye të së cilit është vet ai.
Diçka e tiillë nuk është e paraparë në ligj dhe nuk mund të emërohet çfarëdo personi që do të kryej atë funksion deri sa zonja Janeva nuk shkarkohet. Pavarësisht situatës aktuale, në aspektin juridik ajo ende është kryeprokurore speciale në Maqedoni. Kështu që patjetër duhet të niset procesi i shkarkimit dhe pastaj të mendojmë për opsionin e emërimit të ri dhe të gjitha komplikimeve apo thjeshtësive që do të ndodhin në atë procedurë”-theksoi Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Nga partia e BDI-së nuk kanë të fiksuar një emër për të zëvendësuar Janeva. Bujar Osmani tha se me rëndësi është që të ketë kompromis ndërmjet subjekteve politike për ardhmërinë e PSP-së.
Këshilli i Prokurorëve dhe Kuvendi duhet të gjejnë mundësinë për të gjetur një zgjidhje dhe për të mbushur ‘gap-in’ institucional që është krijuar tani me rastin e fundit. Por, ajo që është më e rëndësishme për të miratuar ligjin për prokurori, i cili në mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme do të zgjidhin çështjen e Prokurorisë Publike por edhe të asaj Speciale”-theksoi Bujar Osmani, BDI.
Nga Aleanca për shqiptarët thonë se organin e akuzës duhet ta udhëheq një ndërkombëtar për shkak të humbjes së besimit tek gjykatësit dhe prokurorët aktual.
Kush do që të jetë në vend të Katica Janeves, nuk është asnjë garanci se po reformohet drejtësia, sepse kemi shumë gjykatës tjerë, prokuror Kryetar Gjykatash, qe janë zgjedhur nga këshillat gjyqësor qe nga periudha e qeverisjes se VMRO-BDI, dhe sot të njëjtët pamundësojnë reforma rrënjësore në drejtësi. Sinqerisht qeveria duhet të kërkoje asistencë ndërkombëtare për ta reformuar drejtësinë”-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Alernativa e Afrim Gashit për prokurore speciale kanë propozuar Fatime Fetain. Meqenëse në Ligjin e PSP-së nuk parashikohet zëvendësimi i Katica Janevës dhe nuk ka dispozitë për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës në krye të Prokurorisë Speciale, Janeva mund të figuroj deri më 15 shtator kur t’i skadon asaj mandati si kryetare.
Adnan Qaili
Loading…



