Kuvendi akoma nuk ka vendosur se kur do të futet në rend dite propozimi për prokurorin e ri publik Lubomir Joveski. Burime brenda organit ligjvënës bëjnë të ditur se përveç njoftimit të dërguar nga Qeveria, në këtë institucion nuk është ndërmarr akoma asnjë hap tjetër në drejtim të caktimit të seancës për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Për thirrjen e kësaj seance nuk është i domosdoshëm koordinimi mes grupeve parlamentare dhe kryetarit të Kuvendit. Qeveria ditë më parë njoftoi Kuvendin për kandidatin e përzgjedhur nga organi ekzekutiv. Biografia e Lubomir Joveskit flet për një jurist të diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup. Fillimisht ishte punësuar në ministrinë e Drejtësisë ndërsa më pas për 7 vite ka punuar në fushën e shqiptimeve të sanksioneve penale. Joveski për një mandat ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 2, ndërsa në gjyqësi ka mbi 15 vite përvojë pune, kryesisht në lëndë penale. I njëjti në vitin 2003 është zgjedhur zëvendës prokurorë në Prokurorinë Publike, ndërsa në vitin 2009 emërohet si Prokurorë. Në vitin 2015 u zgjodh anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Biografia e Lubomir Joveskit
1979 i diplomuar në Fakultetin Juridik
1987 zgjidhet gjykatës në Gjykatën Themelore Shkupi 2
1996 ushtrues detyre dhe më pas një mandat kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 2
2003 zëvendës Prokurorë në Prokurorinë Publike2009 Prokurorë në Prokurorinë Publike
2015 anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik
Në rast të emërimit të Joveskit për Kryeprokuror, mosha e tij 63 vjeçare nuk do të vendos në pikëpyetje mandatin e tij 6 vjeçar, pasi që Kuvendi mund t’i vazhdojë mandatin edhe pas përmbushjes së normës për pension. Qeveria ditë më parë njoftoi se vendimin për të propozuar Lubomir Joveskin për të parin e organit të akuzës e bazon në profesionalizmin e tij dhe mendimin pozitiv të Këshillit të Prokurorëve Publik. Joveski ishte në garë me 22 kandidatë të tjerë për të zënë vendin e Marko Zvërlevskit i cili u shkarkua më 17 gusht të këtij viti. Zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri do t’i paraprijë debati në Kuvend i cili mund të zgjasë disa ditë. Për emërimin e tij nevojiten 61 vota. Opozita kërkon që prokurori i ri të jetë propozim i tyre dhe të votohet me 2/3 e votave, por shumica kundërshtoi që në fillim këtë propozim. Mandati i Kryeprokurorit Publik është 6 vjet dhe i njëjti ka të drejtë rizgjedhjeje.
Adrian Kerimi

