Ishte i vetmi që reagoi vitin e kaluar kundër njollosjes që iu bë përvjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me ndarjen e dekoratës “ABAZ” për Ali Ahmetin. Nuk u frikësua ta ngris zërin edhe pse, siç tha, u sulmua nga truprojet e kryetarit të BDI-së.
Para zgjedhjeve ishte përkrahës i LR PDSH-së dhe ZIjadin Selës, mirëpo profesori i njohur strugan Lebit Murtishi, nuk ka mundur të heshtë dhe ka reaguar ashpër ndaj takimit të Selës me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Murtishi vlerëson se ky takim paraqet pazar interesash e jo kuvendim për zgjidhjen e çështjes shqiptare, siç pretenduan Ahmeti e Sela.
“Nëse deri dje nëpër mitingjet e tua dëgjuam akuzat ndaj Aliut si bashkëpuntor të këtij krimi monstruoz , përpara se të mbash “kuvende” jomorale do të duhej t’i kërkosh falje edhe Lagjes së Trimave në Kumanovë edhe votuesve që ua more votën. Shqiptarët kanë nevojë për kuvende dhe do ta bëjnë një kuvend gjithsesi, por jo me bashkpuntorët e regjimeve pushtuese. Në atë Kuvend ka vend edhe për Ali Ahmetin sigurisht, por pasi të ketë dal përpara popullit t’i kërkoj falje dhe pasi t’ia përplas në fytyrë të gjitha marrëveshjet e fshehura që ka bërë me pushtuesit e kësaj Shqipërie të robëruar. Uroj që të reflektoni njerëzisht dhe kombëtarisht, përpara se të nënshkruani atë që nuk fshihet më”, është porosia miqësore e profesor Lebit Murtishit për Zijadin Selën.
Ju sjellim edhe videon nga viti i kaluar, që tregon reagimin e profesor Lebit Murtishit kundër përvjetorit e njollosur të Kongresit të Alfabetit.