Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të rinj të Letonisë, Luksemburgut dhe Irlandës.
Siç njoftojnë nga Kabineti i presidentit Pendarovski, në takim me Gunta Pastore, ambasadorin e ri të Letonisë në Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se dy shtetet në vazhdimësi ndërtojnë raporte miqësore, duke shënuar trend pozitiv në zhvillimin e bashkëpunimit në shumë sfera të jetës shoqërore.
“Presidenti Pendarovski, theksoi se e çmon lartë mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë mike për integrimin e vendeve nga rajoni i Evropës Juglindore në strukturat e Evropës dhe në këto suaza edhe të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur falënderim për ratifikimin e shpejtë të Protokollit aderues për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, nga ana e Parlamentit letonez”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidencës së Maqedonisë së Veriut.
Mes tjerash, në këtë njoftim thuhet se ambasadori Pastore, ka vlerësuar se të dy shtetet kujdesen për raportet miqësore, të cilët karakterizohen me respekt të dyanshëm dhe mirëkuptim, duke theksuar se ekziston potencial i madh për zhvillimin dhe rritjen e bashkëpunimit në më shumë sfera me interes të përbashkët për të dy shtetet.
Meqë raportet diplomatike mes Luksemburgut dhe Maqedonisë së Veriut, kanë hyrë në dekadën e tretë nga vendosja e tyre, në takimin me ambasadorin e Luksemburgut, Filip Donkell, presidenti Pendarovski, vlerësoi se gjatë periudhës së kaluar dy shtetet kanë ndërtuar raporte miqësore.
Presidenti Pendarovski, me këtë rast ka shprehur bindje se në periudhë e cila vijon, do të hapen kapituj të ri të raporteve të shtetit tonë me NATO-n, përmes anëtarësimit në Aleancë, si dhe përmes fillimit të negociatave për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut, në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Donket, siç thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit Stevo Pendarovski, ka potencuar se Luksenburgu plotësisht e mbështet perspektivën evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se angazhimi i tij do të jetë edhe në dhënien e kontributit për përforcimin e raporteve të shkëlqyera mes dy shteteve dhe intensifikimin në sferën e politikës, ekonomisë dhe kulturës.
Në takimin me Pol Mekgeri, ambasadorin e ri të Irlandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u tha se dy shtetet më tepër se dy dekada ndërtojnë raporte të shkëlqyera miqësore dhe se ekziston mundësia për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë.
Ndryshe, prej aty theksojnë se presidenti Pendarovski, u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme dhe të padyshimtë të cilën Irlanda ia jep integrimit evropian të shtetit tonë.
Ambasadori Mekgeri, theksoi se Irlanda e ndan e mendimin se perspektiva për integrimin evropian është agjent i fuqishëm për avancimin e stabilitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë për rajon, duke shprehur besimin se shteti i tij do të vazhdoj edhe tutje me mbështetje të fortë për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut, drejtë strukturave euroatlantike.
Presidenti Pendarovski, ambasadorëve të rinj ju dëshiroi sukses në realizimin e funksionit të diplomacisë së përgjegjshme.



