Në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidenti Stevo Pendarovski sot priti Presidentin e Republikës së Letonisë Egils Levic, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Të dy presidentët zhvilluan takim tete-a-tete, pasuar nga një takim plenar i dy delegacioneve.
Bisedimet fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, politikën e zgjerimit të BE-së, sfidat e sigurisë në fqinjësinë e gjerë në kontekstin e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës dhe çështje të tjera aktuale gjeopolitike.
Presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Letonisë për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme të vendit, duke i përmendur vendet baltike si shembull të shkëlqyer për transformimin e shoqërive përmes procesit të integrimeve evropiane. Integrimi euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor sjell siguri të barabartë për kontinentin, siç është rasti me rajonin e Balltikut, tha Pendarovski.
Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, është paraparë që të dy presidentët të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.



