Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi bashkë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sylejmani zhvilloi një takim në Ankara me zëvendësministrin turk të Kulturës dhe Turizmit, Nadir Alparslan, ku në fokus ishte restaurimi, mbrojtja dhe zhvillimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Në takim ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i qytetit të Bursës, urbanisti Bajram Vardar.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit institucional për hartimin e një projekti gjithëpërfshirës të restaurimit të Çarshisë së Vjetër, si dhe sigurimin e mbështetjes financiare për realizimin e tij. Palët u dakorduan për përgatitjen e një masterplani dhe formimin e një bordi këshilldhënës, i cili do të koordinojë procesin dhe hapat e mëtejshëm drejt konkretizimit të projektit.
“Çarshia e Vjetër e Shkupit është një trashëgimi e çmuar historike, kulturore dhe ekonomike. Synimi ynë është që restaurimi dhe ruajtja e vlerave të saj autentike të ecin paralelisht me zhvillimin e zejtarisë, tregtisë dhe turizmit, duke e shndërruar këtë hapësirë në një qendër edhe më tërheqëse dhe funksionale”, theksoi Mexhiti.
Komuna e Çairit e konsideron këtë bashkëpunim një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qasjeje afatgjate për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër, përmes ruajtjes së identitetit të saj historik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e turistik.



