Nga Shkupi, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e bëri të qartë se se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet lart në agjendën europiane, ashtu si edhe pritshmëritë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kreu i shtetit gjerman e bëri të qartë se integrimi europian i vendit është i arritshëm. Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE. Sa për çështjen e Kosovës, ai e vuri theksin tek fakti që plani i cili mund të çojë përpara marrëdhëniet dypalëshe, është farkëtuar në Berlin e Paris.
“Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, mudn t’ju them se i gjithë Bashkimi Europian është i interesuar që të mbërrijë sa më shpejt normalizimi i relatave mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”– u shpreh Steinmeier.