03 Shkurt
Liqeni Treska në një të ardhme të shpejtë pritet të shpallet zonë e lirë turistike dhe aty të bëhen investime ndër më të bukurat në rajon. Këtë e premtoi kreu i Sarajit, Blerim Bexheti, duke shtuar se tashmë kanë marrë përgjigje pozitive nga Agjencia për Turizëm. Ministria e Ekonomisë, kërkesën për zonë të lirë turistike duhet ta propozojë në seancat e ardhshme qeveritare. Sipas Bexhetit, interesimi është shumë i lartë për të investuar në këtë vend, sikurse nga investitor vendas ashtu edhe të huajt.
Nëse kalon kjo, unë jam më se i sigurt se do të jetë projekt jo në Maqedoni por në rajon ndër më të mirët. Unë realisht e mbështes këtë proces dhe punoj për realizimin e këtij procesi që të shpallet zonë e lirë turistike dhe komfor rregullativës ligjore pastaj duhet të përpilohet edhe plani i ri urbanistik për dedikim të këtillë dhe të zbatohen të gjitha procedurat deri në realizimin final të këtij projekti që fatmirësisht nuk është i gjatë. Është çështje muajsh që mund të ngrihen të gjitha procedurat në bazë të ligjeve të RM-së – deklaroi Blerim Bexheti, kryetar i komunës Saraj.
Më shumë se 15 vjet Liqeni i Treskës është jashtë funksionit të tij. Çdo gjë brenda këtij kompleksi është pothuajse e shkatërruar. Ashtu siç po e shihni edhe vet, për momentin ky liqen është edhe pa ujë me qëllim të përgatitjes së terrenit për nisje të punimeve për rikonstuimin e tij”.
Edhe pse në gjendje të tillë, qytetarët, çdo ditë më mot të ngrohtë e shfrytëzojnë për shëtitje rreth Liqenit në fjalë. Siç thonë ata, premtimet janë të shumta por se deri tani kanë mbetur vetëm ide ose plane në letër.
Vitet kalojnë, ditët kalojnë, po kur do të bëhet, do të bëhet ndonjëherë. Ka nevojë se Saraji, prej në Bojanë deri në Saraj ka shumë banorë, kanë nevojë, sidomos rinia, fëmijët, për të moshuarit gjithashtu ka nevojë, kanë nevojë për një shëtitje. Shpresojmë të bëhet ndonjëherë, pas 10 vjetësh do të bëhet”.
Kjo është premtuar shumë herë, tani përsëri kanë premtuar, duhet të bëhet. Ky vend është vendi më i bukur në Shkup. Nuk ka tjetër liqen. Është Matka atje po edhe atje nuk është në rregull, edhe atje ka shumë punë – thonë qytetarët.
Ditë më parë Qyteti i Shkupit miratoi vendimin në shumë prej 7 milionë denarësh për përgatitje të projektit për ringjalljen e Liqenit Treska. “Për” këtë projekt votuan këshilltarët shqiptarë dhe ata të pozitës, ndërkohë që opozita ngriti duart kundër duke përkujtuar kreun e Shkupit, Shilegov se Komuna e Sarajit tashmë po mban në sirtar një studim për këtë liqen të përgatitur paraprakisht nga ish kreu i Shkupit, Koce Trajanovski. Liqeni i Treskës është krijuar në vitin 1978. Kompleksi përfshin sipërfaqe prej 4500 metra katrorë, prej të cilëve një pjesë është sipërfaqe e gjelbër ndërsa pjesa tjetër i takon liqenit.
Melihate Rustemi

