Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa ky i fundit ndodhet prej disa muajsh në paraburgim.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas një hetimi të gjatë të nisur nga SPAK. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.”
Në kuadër të të njëjtit hetim, Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt, është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa për pesë biznesmenë është caktuar e njëjta masë. Në listën e të hetuarve për korrupsion aktiv, të lidhur me tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës, përfshihen Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.