Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua në mënyrë barbare më 29 maj 2024, përmes një deklarate noteriale ka vënë në dijeni Gjykatën e Shkallës së Parë së Tiranës se ka rregulluar marrëdhënien me Dritan Nanon, personi i cili dyshohet të ketë organizuar sulmin ndaj tij.
Gazetari Igli Çelmeta mëson se Mëngjesi e ka dorëzuar një deklaratë të tillë në seancën e kësaj të mërkure, në të cilën Nano kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë.
Përtej rregullimit të marrëdhënieve mes dy palëve, Gjykata e Tiranës nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë të Mëngjesit, duke lënë në fuqi masën e sigurimit të caktuar ndaj Dritan Nanos.
Kujtojmë se avokati Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona mëngjesin e 29 majit, pais përcolli fëmijën e tij në kopsht, në zonën e ish-bllokut.
Në këtë sulm morën pjesë Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku. Ky i fundit nuk ishte pjesë e dhunës së ushtruar, por ndihmoi në largimin nga vendngjarja me automjet të një prej autorëve.
Po kështu, gazetari Çelmeta mëson se Sokol Mëngjesi është rikuperuar dhe ka nisur aktivitetin e tij të punës. Shumë shpejt pritet që të marrë pjesë edhe në seancat gjyqësore, për të mbrojtur klientët që ai përfaqëson.