Zgjedhjet lokale që planifikohen të mbahen më 15 tetor dhe e gjithë vëmendja është në taborin politik shqiptar, se si do të arrihet fitorja e tyre. Me një numër të madh të partive politike shqiptare, a do të arrihet fitorja për shqiptarët, kjo mbetet dilemë. Ndërsa, në anën tjetër ishte BDI-ja që vite më parë i ka fituar shumicën e komunave në zgjedhjet e kaluara, ku edhe janë bërë pesëmbëdhjetë vite që udhëheq shumicën e komunave, ku ka numër më të madh të shqiptarëve. Por, sa janë të arriturat e tyre, për këtë opinionisti Shpëtim Pollozhani thotë se nuk ia kanë arritur qëllimit në punë e veprimtarinë që kanë ndërmarrë, pra, nuk ia kanë dalë në krye.
“Unë mendoj se të gjitha zgjedhjet deri tani i kanë dështuar. Pothuajse çdo një vjet e gjysmë bëjmë zgjedhje, por nuk kemi zgjedhje të problemeve. Pra, problemet na përsëriten. Sikurse riciklohen përfaqësuesit politik, të riciklohen edhe problemet, një si tragjedi dhe një si fazë. E keqja më e madhe e zgjedhjeve ndër shqpiptarët është fakti se vjen data e zgjedhjeve, caktohen emrat, listat, por askush nuk gjen një program, i cili do të jepet në diskutim në elektorat”, thotë Shpëtim Pollozhani, për Almakos.
Në pyetjen nëse BDI-ja i sheh si rival partitë tjera shqiptare, meqë tani rival të drejtpërdrejtë në vend të PDSH-së pritet të ketë për herë të parë Lëvizjen BESA dhe LR-PDSH-në. Por, sipas Pollozhanit futja e partive shqiptare e freskon elektoratin shqiptar, por ata duhet të gjejnë rrugë bashkimit.
“BDI-ja nuk e ka patur oponent kundërshtar PDSH-në, ata kanë vepruar si ‘vëllezër siamezë’, por sidoqoftë, tash paraqitja e subjekteve të reja, si Lëvizja BESA, LR-PDSH, disi e freskoi skenën politike shqiptare. Por, e vetmja dobi e paraqitjes të këtyre dy partive opozitare deri dje të themi në këtë gjendje, do të jetë bashkimi i tyre. Në rast se nuk bashkohen partitë shqiptare, deri dje opozitare, LR-PDSH apo Besa është e kotë, sepse do të riciklohet kriza”, thotë Pollozhani.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare janë prononcuar për mediat e vendit, që do të dalin të vetme në zgjedhje.
Nga LR-PDSH thonë se partia e tyre është e përgatitur t’i fitojë zgjedhjet lokale si e vetme. Sipas asaj që ka thënë Flakron Bexheti, anëtar i kryesisë qendrore dhe zëdhënës i kësaj partie, koalicioni ‘Aleanca Shqiptare’ ka vlejtur vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe nuk i obligon ata që të jenë në koalicion edhe për zgjedhjet lokale. Por, LR-PDSH, mban qëndrim se nuk e përjashton lidhjen e një koalicioni për lokalet nëse ka pajtueshmëri mes subjekteve politike.
Ndërsa, BDI-ja për koalicione ka thënë se do të flasin vetëm pas shpalljes së zgjedhjeve lokale. Lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale, ka thënë Nevzat Bejta se partia e tij që herët ka nisur përgatitjet në terren për të marrë mendimin e anëtarësisë për kandidatët e mundshëm për kryetarë komunash. Ai ka shtuar se pasi të mbarojë analiza e brendshme, strukturat e larta të partisë do të vendosin për kandidatët, ashtu siç do të vendosin edhe nëse kryetarët aktual do të kandidojnë sërish edhe në këto zgjedhje.
Nga Lëvizja BESA kanë thënë se partia e tyre është e përgjegjshëm ndaj votuesit shqiptar meqë e votoi në masë të madhe këtë parti në shumë komuna shqiptare dhe këtë përgjegjësi, sipas zëdhënësit të kësaj partie Faton Fazliu, do të bartet edhe në zgjedhje lokale, ku thekson se për asnjë çmim nuk do të negociojnë në dëm të interesave madhore shqiptare.
Nga RDK kryetari Vesel Memedi ka thënë se nuk pranon të flasë për koalicione të mundshëm para shpalljes së datës së zgjedhjeve më 6 gush.
Ndërsa, kryetari i UNITETIT, Gëzim Ostreni, në një prononcim, para disa ditëve, për Almakos, ka thënë se do të shihet nëse degët e komunave do të bëjnë kualicion me ndonjë parti tjetër, të dalin vetë, apo të tërhiqen nga kandidimi.
Përveç partive shqiptare, për votat e shqiptarëve garon edhe LSDM, e cila pretendon që përkrahja e elektoratit shqiptar siç edhe ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nga ana tjetër, pikërisht dalja më vete e partive politike shqiptare, qëndrim që për momentin kanë pothuajse të gjitha partitë, rrezikon të përçajë votën shqiptare si dhe të ulë ndjeshëm nivelin e përfaqësimit në këshilla komunal, por edhe në komunat ku ka numër të madh të etniteteve të ndryshme. Për këtë Pollozhani ndan shqetësimin se problemet e shqiptarëve nuk kanë rrugëzgjidhje, të përçarë.
“Rezultati i fragmentalizimit të votës shqiptare u pa në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku 42 mijë vota, sipas deklaratës së Zoran Zaevit, vota shqiptare ka shkuar për partitë maqedonase dhe përfaqësuesit shqiptar ose maqedonas që kanë marrë votat shqiptare, ku aspak nuk janë duke sensibilizuar opininion për problemin e shqiptarëve. Humbja e votës shqiptare është katastrofa e radhës, unë mendoj se në momentin e fundit ata do t’i bëjnë llogaritë mirë, ata dolën kalemxhi të mirë e jo politikan të mirë, por gjasat janë që do të bëjnë një marrveshje sa i takon atyre komunave me shumicë shqiptare”, thotë Shpëtim Pollozhani.
D.Kërluku
Almakos.com

