Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 23:30 ka identifikuar dhe ndaluar një automjet të tipit Mazda, me targa të shtetit të Serbisë në zonën e Graçanicës.
Sipas njoftimit të policisë në automjet ndodheshin tre persona të nacionalitetit serb: L.D. (23 vjeç), J.P. (23 vjeç) dhe D.D. (22 vjeç).
“Gjatë kontrollit të kryer ndaj veturës dhe personave, janë gjetur disa afishe dhe mbishkrime me përmbajtje nacionaliste, si dhe një pajisje dron, që ndodhej brenda automjetit. Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale”, ka njoftuar policia.
Rasti është trajtuar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, dhe ndaj të dyshuarve është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” – sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo veprim apo dukuri që cenon sigurinë dhe rendin publik.