Policia e Tetovës ka dalë sërish me një apel drejtuar qytetarëve që të kenë kujdes në këtë periudhë që të mos ndezin zjarre ndërsa më shumë kujdes të bëjnë drejtuesit e makinave bujqësore.
“Me përmirësimin e motit, në rajonin e Pollogut, tanimë ka filluar dhe ditët në vijim edhe më shumë do të intensifikohen aktivitetet e zakonshme përgatitor të bujqve. Shumë shpejtë ka filluar pastrimi i fushave nga kashta, bari i thatë dhe ferrat në funksion të mbjelljeve të ardhshme, pas çka dukshëm është rritur frekuentimi në rajon, sidomos në rrugët rajonale dhe lokale. Për këtë, sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri te qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur punojnë ose lëvizin në hapësira të hapura. Kjo, para se gjithash ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, deri tek të cilët apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen sidomos kur ka edhe erë. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se ndezja e qëllimshme e zjarreve në mal paraqet vepër penale, për të cilën është e paraparë dënim me burg nga 8 deri në 10 vjet varësisht vendit, madhësisë dhe pasojave përfundimtare”, thonë nga Policia e Tetovës.
Zakonisht, në këtë periudhë numri më i madh i intervenime janë në vende të hapura, kur është ndezur kullosë e thatë.

