Në nisje të protestës së 17-të për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një prej protestueseve ka theksuar se dhunimi i qytetarit në Zvërnec ishte momenti që “ndezi flakën” e revoltës qytetare.
Protestuesja Doriana Musai u shpreh se, ndonëse ka qenë gjithmonë pjesë e protestave, ngjarja e 30 majit e ka indinjuar thellësisht për shkak të shkeljes së dinjitetit njerëzor.
Sipas Musait, kjo situatë tregon rënie të shtetit të së drejtës, ndërsa theksoi se ngjarja ndodhi në prani të policisë.
Më tej, ajo shtoi se reagimi qytetar ishte i akumuluar prej kohësh, ndërsa episodi i tërheqjes zvarrë të qytetarit ishte pika kulmore.
“Gjatë këtyre viteve unë mendoj se kjo ishte diçka e akumuluar prej kohësh. Ai akti i tërheqjes zvarrë të një qytetari ishte momenti që ndezi flakën”, tha ajo.
Doriana Musai: Unë kam protestuar gjithmonë, por kësaj radhe më indinjoi shumë shkelja e dinjitetit njerëzor që u krye në datë 30 maj. Deri në atë moment ne ishim përballë me policinë, kundrejt një përplasjeje qytetar–shtet, por të vinin forca të treta, anonime dhe të dhunonin qytetarin, ishte e patolerueshme.
Kjo është rënie e shtetit, e shtetit të së drejtës, dhe praktikisht ndodhi para policisë së shtetit. Në këtë rast m’u duk policia e pambrojtur dhe e dorëzuar para një rendi mafioz, i cili është instaluar në qytet dhe tani ka marrë edhe zonat tona të mbrojtura, bukurinë e vendit që i përkasin popullit.
Gjatë këtyre viteve unë mendoj se kjo ishte diçka e akumuluar prej kohësh. Ai akti i tërheqjes zvarrë të një qytetari ishte momenti që ndezi flakën.
Ai akt barbar i trajtimit të një qytetari dhe zhveshja e shtetit nga mbrojtja e qytetarit, pamë atë ditë arrogancën e pushtetit, pamë se si tokat po shkëmbeheshin për përfitimet e një privati, pamë shtetin të dorëzuar dhe figurën e policisë të dhunuar sepse u injorua dhe u përjashtua, qytetarët u ndjenë vetëm në atë moment.
The post “Policia ishte dorëzuar para rendit mafioz!”- Tubimi i 17-të, protestuesja: Dhunimi i qytetarit në Zvërnec ndezi ‘flakën’! Tokat po shkëmbehen për përfitimet e një privati appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

