Policia e Tetovës ka arrestuar 40 vjeçarin S.M. nga fshati Bogovinë nën dyshimin se ka organizuar lojëra të fatit pa licencë, raporton Portalb.mk.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë informoi se pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve në bazë të informacioneve të marra paraprakisht operative, me datë 30.08.2024 në ora 23.00 në fshatin Bogovinë Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria S.M. (40) nga fshati Bogovinë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “organizimi i lojërave të fatit pa licencë, gjegjësisht pa lejen e organit kompetent” sipas nenit 156 të Ligjit për lojërat e fatit.
“Gjatë kontrollit, në celularin e tij është gjetur një faqe interneti për organizimin e lojërave të fatit, në të cilën janë regjistruar disa përdorues dhe në të cilën ai ishte i regjistruar si administrator. Ai është ndaluar në komisariat dhe i është marrë telefoni”, thanë nga SPB Tetovë.
Policia po punon në dokumentimin e plotë të rastit.