Në Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) pritet të shpërthejnë skandale serioze për keqpërdorime të buxhetit nga ana e kompanive që kanë përfituar para përmes projekteve “fantazmë” apo të pa finalizuara.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në FIZHT, Nikolla Dodov theksoi se rreth 60 kompani kanë përfituar miliona euro nga shteti për projekte inovative dhe zhvillimi dhe në vend që t’i zbatonin ato, ose nuk kishin rezultate ose ishin për projekte “fantazmë”, duke e dëmtuar buxhetin me 3.2 milion euro.
Revizioni i brendshëm brenda këtij institucioni po vazhdon hetimet ku kanë rezultuar parregullsi serioze, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Veprimtarinë e Inovacionit, ku dhjetëra institucione shëndetësore private morën para gjatë krizës me Covid.
Dodov nuk bëri të ditur emrat e kompanive ku janë konstatuar parregullsi, ndonëse ka theksuar se revizioni i brendshëm ka konstatuar kontrata të papërshtatshme dhe praktika të dyshimta, përfshirë edhe kompanitë e lidhura me zyrtarë politikë.
Portali Plusinfo ka marrë ekskluzivisht emrat e kompanive në të cilat auditimi i FIZHT ka konstatuar parregullsi.
Njëra prej atyre kompanive është “Pauread INT”, me seli në Global në Strumicë. Ajo është në lidhje me “Elenicën” e Zaevit. Në këtë kompani, revizioni ka konstatuar keqpërdorim të fondeve shtetërore dhe mashtrim. Asnjë aktivitet i projektit nuk është zbatuar. Kompania nuk kishte paraqitur llogari përfundimtare në Regjistrin Qendror për 3 vite.
Kompania “Media Lab” me seli në Strumicë është e lidhur me Zoran Zaevin. Një nga themeluesit e kompanisë është Zoran Zaev, por ai u largua nga ajo. Për këtë kompani nuk janë miratuar raportet për shkak të mos kryerjes së aktiviteteve.
Është edhe kompania “Everest JD DOOEL” e të njohurit Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit. Sipas Plusinfo, një nga zbulimet nga revizioni kanë nxjerrë të dhëna se Drin Ahmeti ka transferuar mjete në të njëjtën kompani në Kosovë, transmeton Republika lajmin e Plusinfo.
Kompania “Thor Industries” është e lidhur edhe me nipin e Ali Ahmetit, i cili është konstatuar se ka dështuar në realizimin e një projekti dhe ka shmangur raportimet.
Ndër emrat më të zëshëm është “Duna DOO”. Dikur kishte dyshime për lidhjen e firmës me skandalin e KSHZ-së në vitin 2020 gjatë zgjedhjeve dhe sulmet e hakerëve në ditën e zgjedhjeve, por ato dyshime nuk u vërtetuan.
Ish-drejtori i FIZHT, Festim Halili që drejtoi Fondin për dy vite, thotë se projektet monitorohen dhe miratohen nga një komision ndërkombëtar i përbërë nga pesë ekspertë, në mënyrë transparente dhe publike.
“Përzgjedhja përfundimtare bëhet nga komiteti i miratimit të investimeve, i cili përbëhet nga pesë ekspertë të huaj. Mund të them me bindje të plotë sepse i gjithë ky proces kaloi në faza transparente, ku unë si drejtor dhe asnjë nga punonjësit e Fondit nuk morëm pjesë në përzgjedhjen e kompanive që do të jenë fituese. Nuk kam as të drejtën ligjore të përfshihem në procesin e përzgjedhjes së kompanive”, theksoi Halili. (INA)