Me përfundimin e 3 mujorit të parë të mandatit të Qeverisë së re nuk përfundoi realizimi i të gjitha masave të planifikuara për këtë periudhë kohore me Planin 3-6-9. Ndonëse Plani është kryefjala e Qeverisë aktuale, nga gjithsej 73 masat e planifikuara, 58 janë realizuar ndërsa 15 të tjera jo, respektivisht janë në në realizim e sipër.
Alsat mëson se nga masat e parealizuara spikat mungesa e kohabitacionit, respektivisht bashkëpunimit midis Qeverisë dhe Presidentit, Gjorge Ivanov. Kështu akoma nuk janë plotësuar vendet e lira të në përfaqësitë diplomatike, për çka janë realizuar disa takime me Ivanovin. Ndërkohë kanë mbetur pa u emëruar 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, mandati i njërit prej të cilëve skadoi më 1 korrik dhe dy të tjerëve në tetor, dy prej të cilëve duhet të propozohen nga Presidenti, Ivanov dhe një nga komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
Sa i përket realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndonëse ishte planifikuar që Propozim Ligji për përdorimin e gjuhëve të dorëzohet për konsultime në Komisionin e Venedikut, kjo akoma nuk ka ndodhur. Propozim ligji ndodhet në procedurë parlamentare.
Rëndësi e veçantë në raportet ndërkombëtare në të cilat bazohet Plani 3-6-9 ka edhe sektori civil. Ishte planifikuar krijimi i Këshillit funksional për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil, përmes ndryshmit të Vendimit për formim të Këshillit për bashkëpunim dhe përsëritje të procesit për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit, në konsultim me sektorin civil. Megjithëse është mbajtur takim me 89 OJQ nevojiten konsultime shtesë, thonë burimet.
Në sektorin e mediave, ishte planifikuar të përgatiteshin propozim-ndryshime të Ligjit për media dhe Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Por, para se propozim ligji të hyjë në procedurë, duhet të mbahet edhe një debat publik. Ndërkaq nuk është bërë asgjë për përgatitjen e propozim-ndryshimeve të rregullores ligjore,të cilat do të mundësojnë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Agjitacionit për Shërbime audiovizuele dhe shërbime mediatike, në bazë të meritës, e cila po ashtu ishte një nga masat e planifikuara.
Sa i përket gjyqësorit, ishte planifikuar shfuqizim i Ligjit për Këshillin për verifikim të fakteve dhe përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe përgatitje e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, që të kthehen kompetencat tek Këshilli Gjyqësor. Gjithsesi vetëm grupet e punës janë formuar.
Ndryshe, në fokus të masave që planifikohen për periudhën e ardhshme 3 mujore janë reformat në shërbimet gjyqësore, ato të sigurisë dhe kundërzbulimit, reformat në gjyqësor, në sferën e mediave dhe shoqërisë civile. Për momentin ka vetëm se draft propozime që do të konsultohen me sektorin joqeveritar, opozitën dhe institucionet që nuk jen nën kompetencë direkte të qeverisë. Në tremujorin e ardhshëm pritet të hartohet strategji për sistemin gjyqësor, strategji për administratën publike dhe për luftën kundër terrorizmit. Plani 3-6-9 hartohet në përputhje me Programin e Qeverisë për periudhën 2017-2020 dhe rekomandimet e raporteve ndërkombëtare. Realizimi i të njëjtit ka rëndësi kruciale për anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
Anesa Aliti

