Disa persona janë shpallur në kërkim në lidhje me plagosjen e policit, Anxhelo Kumaraku 30 vjeç, ngjarje e ndodhur gjatë natës (18 maj) në zonën e Shkozës në Tiranë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se mes personave të shpallur në kërkim janë autorët e dyshuar dhe bashkëpunëtorët.
Mësohet nga grupi hetimor se është qëlluar me dy armë zjarri, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja.
Po ashtu, është marrë për ekspertim edhe arma e policit të plagosur, për të verifikuar nëse ka qëlluar apo jo.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës, ku polici 30-vjeçar ishte nën shoqërinë e fqinjit të tij, Kedi Spaja 31 vjeç, i cili ishte në masën arrest shtëpie për armëmbajtje pa leje, por që në atë e moment e kishte thyer.
Sipas informacioneve Spaja ishte edhe shënjestër e atentatit.
Grupi hetimor ka dyshime se autorët janë dy vëllezër që janë shpallur në kërkim. Njëri prej tyre mund të jetë autor në këtë ngjarja.
“Dyshimet e policisë kanë të bëjnë se një nga dy vëllezërit ka pasur një konflikt për çështje borxhi me fqinjin e efektivit të policisë. Në atë ngjarje, Kedi Spaja e kishte dhunuar një nga dy vëllezërit, për shkak se nuk i kishte shlyer një shumë borxhi. Duket se ky konflikt ka vijuar edhe mbrëmjen e djeshme”, tha gazetarja Xhensila Kodra.
Njoftimi i policise
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


