Telefoni i gjetur në burgun e Durrësit nga kontrollet e befasishme të ushtruara nga drejtoria e Burgjeve, SPAK dhe BKH i përket Artur Hoxhosmanit, një person i arrestuar dhe i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi të trafikut të drogës.
Grupi ndërkombëtar i trafikut të drogës ku bënin pjesë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani u godit nga SPAK rreth një vit më parë.
Njoftimi i Drejtorise se Burgjeve
Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara të ushtruara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.
Kush janë vëllezërit Hoxhosmani
Vëllezërit Hoxhosmani kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikoi mbi 6 tonë drogë me vlerë rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.
Arturi dhe vëllai i tij Klevis Hoxhosmani u kapën pas një viti hetimesh, kryesisht pas rrëfimeve nga Erion Alibej, i cili u shpall “i penduar” dhe ka dhënë informacion kundër grupit të organizuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Grupi i tyre u godit nga SPAK në korrik, ku ranë në pranga 6 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim. Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe Hoxhosmani apo bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.


