Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në një konferencë me redaktorë dhe gazetarë informoi për procesin e modernizimit dhe pajisjes së Armatës, i cili në vazhdimësi e ndryshon fytyrën e Armatës dhe rrit gatishmërinë e saj luftarake.
Duke folur për modernizimin, për të cilin tha se ishte nga përmasat më të mëdha në dekadat e fundit, ministrja tha se bëhet fjalë për projekte gjithëpërfshirëse shumëvjeçare me të cilat futen standardet e NATO-s në Armatën e Maqedonisë.
Deklaratën e Ministres Petrovska e dhënë pas konferencës, jua përcjellim në tërësi:
„Një nga proceset prioritare për të cilin ne si ministre, si Ministri dhe si Shtabi i Përgjithshëm i Armatës jemi plotësisht të përkushtuar dhe krenarë është procesi i modernizimit dhe pajisjes së Armatës. Një e treta e buxhetit të mbrojtjes, i cili këtë vit kap shifrën rekord prej 275 milionë euro, është menduar për modernizim. Është një garanci e padyshimtë që modernizimi nuk do të ketë ndalesë dhe se do të realizohet gjithçka që ishte planifikuar, modernizimi për të cilin u informuat në detaje si nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ashtu edhe nga Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, përfshin disa projekte shumëvjeçare që ndryshojnë tërësisht fytyrën e Armatës Themi se Armata është në NATO, mirëpo edhe NATO me standardet e saj, pajisjet më moderne dhe më të sofistikuara hyjnë në Armatë.
Projektet janë vërtet gjithëpërfshirëse! Jemi duke blerë automjete të blinduara të tipit JLTV Oshkosh, disa kanë ardhur tashmë, disa do të vijnë në disa raste. Blejmë transportuesit e blinduar të personelit Stryker si dhe sistemin francez të mbrojtjes ajrore në lartësi të ulët, MISTRAL 3.
Nënshkruam edhe kontratën për blerjen e sistemeve të artilerisë nga aleati ynë Turqia. Dy helikopterë transporti Mi-8 të Armatës janë duke u riparuar, në bashkëpunim me Republikën Çeke.
Ndodhemi në fazën parafinale të analizës së blerjes së 8 helikopterëve shumëfunksionalë, për të cilët janë marrë 5 oferta nga vende të ndryshme. Është qëllimi ynë që të procedojmë me të gjitha këto prokurime në përputhje me parimin e marrëveshjes Qeveri me Qeveri, si garantues që këto marrëveshje të jenë të lira nga dyshimet mbi çdo bazë, përfshirë dyshimin për korrupsion.
Gjithashtu folëm edhe për donacionet tona për mbrojtjen e Ukrainës, duke përfshirë vendimin e fundit për të dhuruar 12 helikopterë luftarakë, për të cilën qeveria solli vendim dy ditë më parë. Të gjitha donacionet e deritanishme janë bërë në bazë të organit ekspert Shtabi i Përgjithshëm i Armatës dhe natyrisht janë në përputhje me planet tona strategjike dhe planin afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse.
Armata po transformohet, Armata po modernizohet dhe pajiset me armatimin më të sofistikuar, prandaj në përbërjen e saj nuk ka vend për pajisje që janë prodhuar në vitin 1984 dhe që për vite e vite qëndron vetëm si numër, dhe në fakt, ka një burim të skaduar. Gatishmëria luftarake nuk zvogëlohet në asnjë mënyrë, përkundrazi me gjithë këto procese të të cilave i shohim rezultatet, ajo bëhet më e fortë dhe më e pajisur në garantimin e sigurisë së çdo qytetari të Maqedonisë së Veriut.
Vendosëm të jemi efikas dhe pragmatik, të dhurojmë pajisjet që sipas transformimit dhe formimit nuk na duhen dhe nëse nuk e bëjmë për një periudhë të caktuar, do të duhet të paguajmë për ta shkatërruar, ndërsa e dhuruam aty ku është më e nevojshme, në mbrojtje të një vendi që sulmohet brutalisht.
Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut forcoi reputacionin dhe pozicionin e saj si një aleate që ofron mbështetje jo vetëm deklarative, por edhe reale në respektimin e parimeve dhe normave ndërkombëtare.
Më vjen mirë që këtë e panë dhe e kuptuan aleatët tanë, SHBA-të, të cilat në vetëm një vit miratuan dhe mbështetën pikërisht pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë maqedonase me mbi 135 milionë dollarë, që nëse krahasojmë është disa herë më shumë se vlera e pajisje të dhuruara.
Mirënjohje Shtabit të Përgjithshëm, punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes që me të vërtetë janë të përkushtuar për të gjitha këto procese dhe po e ndryshojnë fytyrën e Armatës”, tha ministrja Petrovska.
E pyetur nëse vendimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën e dëmtojnë gatishmërinë luftarake të Armatës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, theksoi se ai dhe Shtabi i Përgjithshëm janë plotësisht prapa vendimeve që janë propozuar Ministrisë dhe miratuar nga Qeveria dhe se ato donacione në asnjë mënyrë nuk e cenojnë gatishmërinë luftarake të Armatës.
„Gatishmëria luftarake e Armatës sonë nuk është e dëmtuar asnjëherë me asgjë, në fakt ne jemi liruar nga armatimet dhe pajisjet e vjetra, jopremtuese dhe jofunksionale lindore, dhe nga ana tjetër po modernizojmë Armatën, duke përmirësuar ndjeshëm gatishmërinë luftarake dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë të NATO-s”, tha gjenerali Gjurçinovski.
Në konferencën për media ishin të pranishëm dhe morën pjesë edhe zëvendësministri Tiron Jajaga dhe drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Simeon Trajkovski.
Petrovska në konferencë për media: Jam krenare për pjesëtarët e ushtrisë, me modernizimin po e ndryshojmë fytyrën e Armatës çdo ditë
Lajme
4 Minuta Lexim