01 Shkurt
Pesë ish anëtarë të KSHZ-së kanë parashtruar kërkesë deri në Kuvendin e Maqedonisë për apanazh. Kërkesë për apanazhë kanë bërë ish kryetari i KSHZ-së Aleksandar Çicakovski i cili ishte nga radhët e ekspertëve, si dhe anëtarët Igor Milev, Violeta Duma, Subhi Jakupi dhe Silvana Boneva. Kompensimi për apanazh duhet të jetë një vit, marrë parasysh se mandati i kësaj përbërjejeje ishte më shumë se dy vite. Në vendin e mëhershëm të punës është kthyer ish anëtari i KSHZ-së Rexhep Prekopuca si nëpunës në Kuvend, Atanas Urumov në njësinë rajonale të KSHZ-së në Gjevgjeli dhe Sasho Sërcev si këshilltar shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Kërkesat për apanazhë janë dorëzuar javë më parë, por akoma nuk kanë marrë miratim nga Kuvendi. Muaj më parë, tetë anëtarët e KSHZ-së dhanë dorëheqje si pasojë e jehonës së informacionit për marrjen e kompensimeve shtesë për zbatimin e zgjedhjeve. Anëtarja e vetme që nuk ka dhënë dorëheqje është Ermira Asani nga radhët e lëvizjes Besa.
Që nga dorëheqja e tyre, KSHZ-ja funksionon pa trup vendimmarrës. Megjithatë në rast se vendoset për referendum për çështjen e emrit, nga ky institucion pretendojnë se teknikisht janë të gatshëm për zbatimin e tij.
Sa i përket zgjedhjeve në KSHZ, në përputhje me Kodin Zgjedhor i cili është në fuqi, publikimi i shpalljeve për anëtarë të KSHZ-së është nën kompetencë të Kuvendit të Maqedonisë. Komisioni tani ka vetëm një anëtar, ndërkaq shërbimet e KSHZ-së funksionojnë tërësisht të cilat janë të formuara për cështje teknike administrative dhe organizative të Komisionit – deklaroi Lupka Gugucevska, Zëdhënëse e KSHZ-së.
Zgjedhja dhe shkarkimi i anëtarëve të KSHZ-së bëhet nga Kuvendi me 2/3 e votave kurse mandati i tyre është pesë vjet.
Vjollca Aliti

