Personeli mjekësor nga ambulanca private pediatrike “Pediatria-D” në Dibër sërish është në shërbim të shëndetit të fëmijëve nga rajoni më i gjerë i Dibrës.
Ambulanca ishte mbyllur prej 17 marsit pasi që pas testeve të bëra personeli ishte pozitiv me Kovid-19.
Dy mjekët, pediatër dhe tre infermieret tashmë filluan me punë dhe pa pengesa, gjatë ditës ofruan shërbime për disa fëmijë.
“Fillimisht iu falënderohemi të gjithë atyre të cilët na dhanë mbështetje, që me të vërtetë kushte shumë rëndësi për ne. E kaluam periudhën në izolim dhe të gjithë ishim në mjekim në kushte shtëpiake. Tani jemi të gatshëm të vazhdojmë me misionin tonë të kujdesemi për shëndetin dhe të mirën e më të vegjëlve tanë”, tha mjeku Ylber Kokalle.
Personeli i “Pediatrisë-D” sërish në shërbim të shëndetit të fëmijëve dibranë
“Filluam me punë pasi që të gjitha testet treguan rezultat negativ. Tani jemi këtu dhe nuk ka më nevojë për ardhje të pediatërve nga qytete të tjera. Jemi tërësisht në shërbim të fëmijëve. Në turnin e parë patëm rreth njëzet kontrolle, por këshilla dhe rekomandime kemi ofruar shumë më tepër”, tha mjeku tjetër Arben Agolli.
Ambulanca pediatrike “Pediatria-D” është institucioni i vetëm i këtij lloji në rajonin më të gjerë. Këtu shër bim marrin fëmijët nga komunat e Dibrës, Qendër Zhupës dhe Mavrovë e Rostushës, përkatësisht rajonit të Rekës.
Ambulanca punon prej orës 8:00 deri në orën 19:00, tani për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit, që fillon më 24 prill, e më pas orari do të zgjasë deri në orën 20:00.



