Edhe përkundër premtimeve të njëpasnjëshme për meremetimin e objektit të muzeut të Alfabetit në Manastir, në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk është paraparë asnjë qindarkë për investime në këtë monument, i cili ndodhet në gjendje të mjerueshme.
Shuma e vetme e paraparë në buxhetin e vitit 2018 për Muzeun e Alfabetit janë 2.600.000 denarë apo rreth 42 mijë euro, që të gjitha këto për paga dhe kontribute. Por, edhe kjo shumë nuk arrinë as 1-përqindëshin e buxhetit të paraparë për veprimtaritë e muzeve në Maqedoni.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm për këtë kategori janë ndarë rreth 6.8 milionë euro, ndërsa shuma e ndarë për Muzeun e Alfabetit përbën vetëm 0.6 përqind nga totali.
Nga ana tjetër, për muzetë dhe veprimtaritë e muzeve të tjera në vend janë paraparë nga dhjetëra miliona deri në qindra miliona denarë. Shumë praj 2.600.000 denarëve të ndara për Shtëpinë e Alfabetit është shuma më e vogël nga të gjitha shumat e ndara në sferën e kulturës dhe për objektet kulturore.
Nga 6.6 milionë euro sa janë ndarë në total për veprimtaritë e muzeve në Maqedoni, rreth 2 milionë euro janë paraparë për mirëmbajtje të objekteve dhe pajisje nga sfera e kulturës. Monumenti i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir ndodhet e fundit në listën e institucioneve kulturore për sa i takon shumës që ka përfituar në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Shuma e ndarë për Muzeun e Alfabetit është sa një e katërta e shumës së paraparë për qendrën memoriale “Toshe Proevski” në Krushevë, monument ky që përfiton thuajse në buxhetet e secilit vit me rradhë. Për dallim nga 2.6 miljon denarët e dedikuara për muzeun e alfabetit, qendra memoriale e Toshe Proevskit ka përfituar 10.000.000 denarë për investime kapitale, gjegjësisht për ndërtime të objekteve.
Objekti i Muzeut të Kongresit të Alfabetit në Manastir ndodhet në gjendje të rëndë dhe shpeshherë ka qenë në qendër të premtimeve parazgjedhore të partisë në pushtet, BDI-së së Ali Ahmetit. Shpeshherë ky objekt ka qenë edhe në fokus të sulmeve nga huliganë të cilët asnjëherë nuk janë zbuluar nga autoritetet e rendit. Hapësira të Muzeut të Alfabetit shfrytëzohen edhe për biznese private dhe ky problem nuk është zgjidhur edhe pse poashtu ka pasur premtime të shpeshta. Arben Zeqiri /SHENJA/

