Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e një konflikti që ndodhi mbrëmjen e 16 prillit në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, ku u përfshinë 9 persona dhe pati shkëmbim të të shtënave me armë, por pa viktima.
Sipas informacionit të policisë, 51-vjeçari Adrian Shabanaj qëlloi me qytën e pistoletës një 40-vjeçar, Kasem Stani, gjatë një sherri që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. Fatmirësisht nga të shtënat, askush nuk u lëndua rëndë.
Pas hetimeve të shpejta, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim Shabanaj, i cili dyshohet të ketë qëlluar me armën e zjarrit. Po ashtu, gjatë operacionit, u arrestuan 8 persona të tjerë të përfshirë në konflikt, përfshirë edhe Kasem Stanin, që u dëmtua lehtë.
Nga hetimi u sekuestruan prova të rëndësishme, përfshirë armën e zjarrit dhe celularët e të arrestuarve, që do të shërbejnë për hetimet e mëtejshme.
Policia ka vijuar me intensitet punën për kapjen e Adrian Shabanaj dhe po kryen hetime të tjera për zbardhjen e plotë të rastit.
Personat e arrestuar janë:
-
Kasem Stani (Pasha), 40 vjeç
-
Elton Ajredinaj, 43 vjeç
-
Emiljan Ruko, 39 vjeç
-
Bjorni Tahiraj, 24 vjeç
-
Eriald Tahiraj, 35 vjeç
-
Denikiajder Tahiraj, 30 vjeç
-
Eduart Sulaj, 47 vjeç
-
Kastriot Stani, 53 vjeç
Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zbardhet dinamika e konfliktit të mbrëmshëm, ndërmjet disa shtetasve, në rrugën “Sami Frashëri”.
Policia identifikoi shtetasin që goditi me qytën e një arme zjarri, një 40-vjeçar, gjatë një konflikti në një lokal, për motive të dobëta, dhe po punon intensivisht për kapjen e tij.
Nga hetimet dyshohet se 51-vjeçari qëlloi një herë, me armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk pati shtetas të dëmtuar.
Në pranga 8 shtetasit e përfshirë në konflikt, mes tyre, 40-vjeçari që u dëmtua lehtë.
Gjendet në vendgjarje arma e zjarrit pistoletë, dhe sekuestrohet bashkë me celularët e të arrestuarve dhe me prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Menjëherë pas njoftimit, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe:
-u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin K. S.(P.), 40 vjeç, i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi;
-u identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit e përfshirë në konflikt: K. S. (P.), 40 vjeç, E. A., 43 vjeç, E. R., 39 vjeç, B. T., 24 vjeç, E. T., 35 vjeç, D. T., 30 vjeç, E. S., 47 vjeç dhe K. S., 53 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.