Në 25 shkolla të Maqedonisë së Veriut do të vendosen panele diellore fotovoltaike përmes granteve evropiane.
“I realizojmë angazhimet për kushte më të mira për mësim si dhe krijimin e mjedisit jetësor të shëndetshëm. Fondi Evropian për Investime të Gjelbërta Shoqërore, të dedikuara për përforcimin e masave gjithëpërfshirëse klimatike, na mundësoi të investojmë në efiçencën e energjisë të paktën në 25 shkolla”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri.
Mjetet financiare në vlerë prej 1.1 milionë euro do të sigurohen nga Banka për Zhvillim të Këshillit të Evropës.
“Efekti është i dyfishtë – bëjmë zëvendësime në energjinë të bazuar në lëndë djegëse fosile me energji të pastër dhe të rinovueshme dhe njëkohësisht kemi kursime në faturat e energjisë. Këto mjete do të riinvestohen në përmirësimin e kushteve në shkolla”, vlerësoi Shaqiri.