Një pjesë e madhe e Shkupit është përfshirë këtë pasdite nga tymi, ndërsa të dhënat nga disa stacione matëse tregojnë rritje të nivelit të ndotjes së ajrit. Tymi vjen si pasojë e zjarrit që ka përfshirë zonën e Kitkës, në territorin e komunave të Studeniçanit dhe Zelenikovës.
Sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), era ka sjellë tymin nga zona e zjarrit drejt Shkupit. Për shuarjen e flakëve sot është angazhuar edhe një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga QMK-ja bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka pasur raportime për ndonjë zjarr në Vodno. Ndërkohë, në Komunën e Ilindenit janë regjistruar dy zjarre, të cilat kanë përfshirë bar të thatë dhe sipërfaqe me pyll të ulët të degraduar.
Ndërkohë, të dhënat e platformës IQAir tregojnë se në disa stacione matëse në Shkup niveli i ndotjes ka arritur deri në 178 US AQI, që klasifikohet si “e pashëndetshme” për cilësinë e ajrit.
Në një prej stacioneve është regjistruar përqendrim prej 94 mikrogramësh të grimcave PM2.5 për metër kub ajër. Këto grimca konsiderohen ndër ndotësit kryesorë të ajrit dhe mund të përbëjnë rrezik veçanërisht për personat e ndjeshëm.
QMK-ja njoftoi gjithashtu se deri në orën 13:00 janë regjistruar gjithsej 14 zjarre në hapësira të hapura në vend. Prej tyre, pesë janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa tetë janë shuar.
Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa era dhe përhapja e tymit mund të ndikojnë më tej në cilësinë e ajrit në kryeqytet.
The post Tymi përfshin Shkupin, rritet ndotja e ajrit – zjarri në Kitkë vijon të jetë aktiv appeared first on TV-SHENJA.


