Me thirrjet “Nesër më shumë”, “Bashkohuni me ne”, mbyllet protesta e 86 kundër Ramës. Për të 86 ditë me radhë, qytetarët kanë vijuar protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj situatës politike në vend dhe duke kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit.
Pas fjalimeve të mbajtura pranë Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. Gjatë gjithë tubimit, ata kanë përsëritur thirrjet kundër kryeministrit dhe zyrtarëve të qeverisë, duke kërkuar largimin e tyre nga detyra.
Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme, sipas protestuesve, mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama. Ata kanë deklaruar se zëvendësimi i ministrave apo ndryshimet brenda kabinetit nuk përbëjnë një zgjidhje për situatën që ata kundërshtojnë.
Me thirrjen “Nesër më shumë”, ata kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
Për 86 ditë, rrugët e Tiranës janë kthyer në një pikë grumbullimi për qytetarët që kërkojnë largimin e qeverisë dhe ndryshime politike. Organizatorët dhe protestuesit deklarojnë se do të vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
The post “Nesër më shumë”/ Revoltë kundër të gjithë klasës politike, mbyllet protesta e 86: Rama jep dorëheqjen! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


