Fshatrat Bukoviç, Arnaqi dhe Semenisht në komunën e Sarajit janë përfshirë nga përmbytje si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë goditur zonën gjatë orëve të fundit.
Disa rrugë janë mbuluar nga uji, ndërsa sipërfaqe të tëra fushash janë përmbytur, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe qarkullimin në këto vendbanime rurale.
Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare nëse ka dëme në amvisëri apo objekte të tjera.
Kryetari i Sarajit, Muhamet Elmazi ka njoftuar se ekipet janë në terren që nga orë te hershme të mëngjesit.
“Po punohet intensivisht për menaxhimin e situatës, zhbllokimin e rrugëve, pastrimin e kanaleve dhe ofrimin e ndihmës aty ku është e nevojshme. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente për të reaguar sa më shpejt dhe me efikasitet. Lusim qytetarët për kujdes të shtuar, të shmangin zonat e rrezikuara dhe për çdo rast emergjent të kontaktojnë shërbimet përkatëse.Do t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm”, shkruan Elmazi.


