Nën organizim të rrjetit nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare nëntë kandidat për kryetar komunash në komunat që gravitojnë në Pollog, kanë nënshkruar një marrëveshje të angazhimit publik, me këtë rrjet që nënkupton se nëse kandidatët e mundshëm për kryetarë komunash zgjidhen për kryetarë komune, ata obligohen që të angazhohen në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës familjare por edhe dhunës në përgjithësi.
“Janë ftuar për të nënshkruar të gjithë kandidatët dhe kandidatet për kryetarë komunash në komunat e rajonit të Pollogut nga të gjitha partitë politike, të cilëve në kohë ju është dorëzuar drafti i politikave të cilat pritet që t’i shfrytëzojnë, dhe zbatojnë përderisa zgjidhen për kryetar komune në këto zgjedhje lokale , në kohë janë informuar se çfarë në thelb nënkupton “Angazhimi publik”, për fat të keq nuk morën pjesë të gjithë kandidatët nga të gjitha partitë politike në këto nëntë komuna ,megjithatë ato që nënshkruan obligohen që të respektojnë standardet dhe rekomandimet e këshillit të Evropës për themelimin e shërbimeve të specializuara për gratë që janë viktima të dhunës familjare , të sigurojnë burime financiare për përkujdesjen e tyre gjithashtu obligohen që të mundësojnë paketë me shërbime sociale për gratë që do të paraqesin dhunën”, tha Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e rrjetit nacional.
Nga rrjeti nacional kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës familjare theksuan se pas zgjedhjeve ky rrjet do të rikujtojë kandidatët se për çfarë janë angazhuar, dhe do të kërkojë të realizojë takim për të diskutuar mundësitë se si kjo paketë e masave kundër dhunës do të mund të realizohen në këtë rajon në bashkëpunim me komunat./koha

