Partia Demokratikë Shqiptare mbrëmë aktivitetet e saja parazgjedhore i ka vazhduar në qytetin e Gostivarit, ku ka prezantuar kandidatin e saj për kryetar të kësaj komune, Sebajdin Izairin dhe listën e kandidatëve për këshilltarë. Izairi me këtë rast para të pranishmëve, ka premtuar se nëse ai merr drejtimin e komunës në katër vitet e ardhshme, do ta zgjidhë problemin me ndotjen nga deponia Rusino, do bëj hapjen dhe zgjerimin e disa rrugëve si dhe ndërtimin e tregut të gjelbër, që i mungon qytetit të Gostivarit.
Gjatë mandatit tim do kërkoj nga Qeveria dhe nga investitorët publiko privat për riciklim të mbeturinave ndërsa për fabrikën e “Silikës” do kërkoj detyrimisht të vendos filtra. Në tre mujorin e parë do të vë në funksion tregun e gjelbërt aty ku ka qenë më parë. Deri në fund të mandatit do të hap rrugën Braqa Gjinoski dhe do riemëroj rrugët që ende mbajnë emrat e sistemit komunist, siç është rruga “JNA”. Kujdes të veçantë do i kushtoj arsimit sepse aty është edhe ardhmëria e fëmijëve tanë- tha Sebajdin Izairi, kandidati i PDSH-së për Gostivarin.

