Kompania “Hidrodrini” e cila furnizonte banorët e Deçanit me ujë, ka reaguar pas vendimit që bëri të ditur kryekomunari i Deçanit se kjo kompani nuk do të ketë me në menaxhim ujësjellësin e Deçanit, pasi nga analiza mikrobiologjike e ujit u bë e ditur se kishte disa baktere që mund të jenë shkaktare për helmimin e më shumë se 1.500 banorëve.
Kompania, përmes një statusi në ‘Facebook’ ka thënë se pas raportit të sotëm të IKSHPK-së dhe 10 rekomandimeve që kanë dalur nga ky raport, KRU ‘Hidrodrini’ ka urdhëruar të gjitha Njësitë Operative, që nga mëngjesi të fillojnë implementimin e rekomandimeve të reja në fjalë që burojnë nga raporti i pasditës i publikuar nga IKSHPK.
Kompania ka thënë se i kërkon IKSHPK sqarime shtesë rreth analizës së ujit për mostrat që janë marrë dhe i kërkon që të marrin edhe mostra nga puset e qytetarëve.
Njoftimi i plotë:
“Pas raportit të sotëm të IKSHPK-së dhe 10 rekomandimeve që kanë dalur nga ky raport, KRU ‘Hidrodrini’ ka urdhëruar të gjitha Njësitë Operative të Zonës së Mbulueshmërisë, që, që nga mëngjesi të fillojë implementimi I rekomandimeve të reja në fjalë që burojnë nga raporti i pasditës i publikuar nga IKSHPK. Për hir të sqarimit të opinionit, bëjmë me dije se rekomandimet në fjalë nga ana e IKSHPK-së, nuk na kanë arritur zyrtarisht por vetëm i kemi marrë nga Media. Ne lusim IKSHPK-në, që të ofrojë sqarime shtesë se cilat mostra të ujit janë marrë, pra a bëhet fjalë për mostra nga sistemi i KRU ‘Hidrodrini’ dhe inkurajojmë që mostra të merren edhe në bunare (puse), nëse nuk janë marrë, e të cilat përdoren nga banorët vet. Derivat i këtyre 10 rekomandimeve të publikuara, KRU ‘Hidrodrini’ ka ngritur menjëherë pasdite, tre ekipe specifike profesionale siç janë; 1. Ekipi i kualitetit të ujit në të gjitha pikat e kontrollit, (ku do të ri-kontrollohet për klorinim). 2. Ekipi i kontrollit dhe identifikimit të bunareve të cilat janë kyçur paralelisht në sistemin tonë. 3. Ekipi i inspektimit të gropave septike apo të ndonje rrjeti të ujërave fekal. Me respekt; Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë”



