Maqedonia e Veriut po punon për zgjidhjen e problemit me transportuesit përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen, duke synuar sigurimin e vizave të punës afatgjata për shoferët maqedonas.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një paraqitje televizive në TV Telma. Sipas tij, marrëveshje të tilla tashmë janë arritur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa negociatat po vazhdojnë me Austrinë, Gjermaninë dhe Hungarinë.
“Ne tashmë kemi marrëveshje të tilla me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa po punojmë me Austrinë, Gjermaninë dhe Hungarinë. Është një sistem i BE-së dhe ata duhet të gjejnë një zgjidhje. Ne po e gjejmë zgjidhjen brenda kompetencave të Qeverisë, përmes këtyre marrëveshjeve dypalëshe për viza pune afatgjata”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se vendet me të cilat po zhvillohen negociatat janë përzgjedhur duke pasur parasysh destinacionet kryesore ku transportuesit maqedonas eksportojnë ose kalojnë tranzit.
“Mënyra se si mund të ndihmojmë është të lidhim marrëveshje dypalëshe me shtetet anëtare të zonës Shengen, në mënyrë që të mund të lëshohen viza pune afatgjata që mund të përdoren nga transportuesit”, tha ministri.
Nikolloski bëri të ditur gjithashtu se me Komisionin Evropian është arritur dakordim që shoferët të njihen si profesionistë, çka, sipas tij, paraqet një hap të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit.
Ai konfirmoi qëndrimin e Qeverisë se secili vend i Ballkanit Perëndimor duhet ta trajtojë veçmas çështjen e transportuesve dhe të kërkojë zgjidhje në mënyrë individuale.
“Ajo që e kam thënë disa herë dhe do ta them edhe tani është se çdo vend duhet ta zgjidhë problemin në mënyrë të pavarur. Nuk duhet ta shohim këtë problem së bashku, sepse qëndrimi i Maqedonisë është një, ndërsa ai i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është tjetër”, tha Nikolloski.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e çështjes, ndërsa për vendet e tjera mbetet përgjegjësi e tyre të gjejnë mënyrën përkatëse.
Në të njëjtën kohë, Nikolloski tha se zgjidhja afatgjatë duhet të vijë edhe nga Komisioni Evropian. Ai bëri të ditur se për këtë çështje janë zhvilluar disa takime dhe shprehu pritjen që së shpejti të gjendet një zgjidhje e përshtatshme.
MARKETING


