Më 11 dhjetor populli e mori kontrollin mbi partinë, më 29 tetor partia e ktheu kontrollin mbi popullin. Gjatë këtyre 10 muajve, deri sa populli kishte kontrollin në duart e veta, partia ishte e detyruar të punojë më shumë, të vjedhë më pak, të jetë më serioze, të mos inskenojë raste të montuara gjyqësore e policore. Dhjetë muaj të plotë, partia ishte e detyruar të respektojë dinjitetin e femrave, vajzave, motrave dhe nënave shqiptare. E kishin vështirë, por ishin të detyruar. Ndryshe do të humbnin pushtetin.
Kurse tani që ka kthyer kontrollin mbi popullin, partia nuk është e obliguar të punojë më shumë, e të vjedhë më pak. Tani partia nuk është e obliguar të pengojë skenaret e montuara policore e gjyqësore. Tani partia nuk është e obliguar të respektojë dinjitetin e femrave, vajzave, motrave dhe nënave shqiptare. Tani partia i ka duart e zgjidhura. Krismat e armëve ende pa u fikur kamerat, treguan se sa me qejf e kishte pritur partia këtë ditë, që t’i ketë sërish duart e zgjidhura, për të zgjidhur uçkurin e dinjitetit shqiptar.
Deri tani ishte populli të bën vezir, populli të bën rezil. Tani do të jetë partia të bën vezir, partia të bën rezil. Deri në zgjedhjet e ardhshme! Deri në vetëdijësimin e ardhshëm!
P.S. Nëse e lexoni sot këtë tekst, reagimi juaj i parë me siguri do të jetë se portalet dhe analistat po shkruajnë për inati të partisë. Këtë përshtypje do ta keni deri nesër kur nëna, bija, gruaja ose motra juaj do të ju ankohet se partia po ia nëpërkëmbë dinjitetin në vendin e punës./a.q.

