Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 20:00 të mbrëmjes së 27 gushtit janë raportuar 8 vatra zjarri. Sipas ministrisë, 5 vatra mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 1 është shuar plotësisht.
Për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat operacionale vendore dhe qendrore, përfshirë MZSH-në, Forcat e Armatosura, ADZM/AZM, shërbimin pyjor, Policinë e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë. Në mbështetje të ndërhyrjeve tokësore janë aktivizuar edhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të tre vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga një helikopter i FA. Ndërhyrja vijon në terren të vështirë, ndërsa vatra mbetet aktive.
Angazhimi më i gjerë tokësor është regjistruar në qarkun Dibër.
Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca, konkretisht 8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë. Ekipet kanë punuar për izolimin e flakëve përmes pritave dhe pompave të shpinës.
Në Vajkal janë angazhuar forcat zjarrfikëse, 4 forca pyjore, 5 efektivë të Policisë, 6 forca bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë. Për shkak të erës, operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter i FA.
Në Sllatinë, Dibër, po punojnë 10 zjarrfikës, 4 forca të ADZM-së, 5 forca të njësisë administrative dhe 7 vullnetarë. Për shkak të terrenit të thyer malor, ekipet kanë lëvizur me mjete 4×4, ndërsa ndërhyrja është mbështetur gjithashtu nga një helikopter i Forcave të Armatosura.
Në Arrmollë janë angazhuar 4 forca dhe një autobot uji, duke bërë të mundur normalizimin e situatës dhe eliminimin e rrezikut për banesat përreth.
Në Ungrej të Lezhës, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 7 forca operacionale, 6 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Ndërhyrja ka përfunduar me shuarjen e plotë të vatrës.
Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
The post Si paraqitet situata nga zjarret në Shqipëri/ 5 vatra aktive, angazhohen edhe 2 helikopterë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


