Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri pas protestës së dhunshme në Tiranë, duke i bërë thirrje klasës politike të tejkalojë interesat partiake dhe të tregojë maturi e përgjegjësi.
Ahmeti theksoi se vendi ka nevojë për dialog dhe zgjidhje që i shërbejnë interesit të përbashkët, ndërsa u kërkoi protestuesve të shprehin kërkesat e tyre në mënyrë dinjitoze dhe institucioneve të veprojnë me përgjegjësi, në respekt të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.
“Sot, më shumë se kurrë, është koha që të tejkalohen interesat e ngushta partiake dhe çdo konsideratë tjetër që mund të pengojë gjetjen e zgjidhjeve, në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Në këtë moment, i bëj thirrje të gjithë klasës politike shqiptare, që të reflektojë urgjentisht. Kjo është një çështje e interesit kombëtar, që kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe vullnet për të tejkaluar veten, në të mirë të vendit”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka theksuar se situata aktuale duhet të tejkalohet me maturi, përmes dialogut dhe veprimeve të përgjegjshme, në mënyrë që të mos dëmtohet më tej besimi te institucionet, jeta e qytetarëve dhe funksionimi demokratik i shtetit.



