Bëhet e ditur se Parlamenti finlandez votoi me shumicë të madhe pro propozimit të qeverisë për anëtarësimin e vendit në NATO. Po ashtu Finlanda do të përforcojë kufirin me Rusinë, përcjell albinfo.ch.
Thuhet se nën presionin e sulmit ushtarak rus kundër Ukrainës, Finlanda dhe Suedia shtruan së bashku në maj 2022 një kërkesë për anëtarësim në NATO. Tani të paktën sa u përket finlandezëve, nuk ka më asgjë që e pengon anëtarësimin e vendit në NATO.
Parlamenti në Helsinki votoi me shumicë të madhe votash pro propozimit të bërë nga qeveria për ndryshimin e legjislacionit të nevojshëm për anëtarësimin e vendit në Aleancën Perëndimore të Mbrojtjes.
Anëtarësimi i Finlandës duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Pas vendimit të Helsinkit tani priten vendimet e Ankarasë dhe të Budapestit për anëtarësimin e Finlandës në NATO. Parlamenti hungarez u shpreh në favor të anëtarësimit të Finlandës në NATO, votimi përfundimtar pritet në mes të muajit mars. Kurse pas qëndrimit të përsëritur të Turqisë se nuk do të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, Finlanda u shpreh se është e hapur për një veprim të veçuar dhe anëtarësim të saj në NATO edhe pa Suedinë.