Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar ka thënë se Samiti në Trieste pritet që të sjell angazhim më të fuqishëm dhe konkret të BE-së ndaj të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ai ka deklaruar se BE do të ndajë 1.3 miliardë euro grante për rajonin deri në vitin 2020 për projekte të energjisë, transportit dhe mjedisit. Diplomati evropian ka folur për këto çështje gjatë një konference të përbashkët me ambasadorin italian, Karlo Romeo, ku kanë informuar rreth qëllimëve të këtij samiti.
Ata po ashtu thanë se, përveç kësaj për rajonin do të ndahen edhe rreth 200 milionë euro për shtatë projekte të tjera. Zhbogar theksoi se ndërtimi i rrugëve, urave dhe lidhja e territoreve do të japin një kontribut të thellë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e paqes, por edhe në sjelljen e përfitimeve ekonomike.

