Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur të premten në mbrëmje Kuvendin Zgjedhor të Degës në Vrapçisht, ku janë konstituuar organet dhe strukturat drejtuese që do të udhëheqin aktivitetin politik të degës në periudhën e ardhshme.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, njoftoi se kuvendi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe me unitet të plotë, ndërsa uroi të zgjedhurit e rinj për detyrat që do të ushtrojnë.
“Jam i bindur se me përkushtim, punë dhe afërsi me qytetarët do ta forcojnë edhe më tej organizimin tonë në Vrapçisht”, deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi se BDI-ja mbetet forca më e madhe, më e organizuar dhe më e konsoliduar politike e shqiptarëve në vend, duke vlerësuar se fuqia e saj buron nga besimi i qytetarëve, uniteti i brendshëm dhe qëndrueshmëria e kauzës që përfaqëson.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për organizim, mençuri dhe vendosmëri. Të bashkuar, me argumente të forta, me vizion të qartë dhe me përkushtim ndaj interesit qytetar, do t’i përballojmë dhe do t’i ndalim politikat e gabuara që cenojnë të arriturat dhe të drejtat e shqiptarëve”, tha Ahmeti.
Në fund, ai uroi strukturat e reja të degës së BDI-së në Vrapçisht për sukses në angazhimet e tyre të ardhshme politike dhe organizative.


