Qeveria njofton se procesi i paralajmëruar i rikonstruimit po zhvillohet përmes bisedimeve me partnerët e koalicionit. Në këtë kuadër, për sot dhe nesër janë planifikuar takime me përfaqësuesit e partive ZNAM dhe VLEN.
Nga Qeveria theksojnë se bisedimet ndodhen ende në një fazë të hershme dhe se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm, i cili kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme.
“Për shkak se negociatat janë ende në fillim, nuk do të japim detaje shtesë në këtë fazë. Sapo të arrihen marrëveshje konkrete dhe të përcaktohen zgjidhjet, publiku do të informohet në mënyrë të plotë dhe transparente”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në reagim rikujtohen edhe qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski, të shprehura gjatë shënimit të 36-vjetorit të partisë së tij në Strumicë. Sipas Qeverisë, këto qëndrime mbeten të pandryshuara dhe përbëjnë parim udhëheqës në procesin e vlerësimit të punës së funksionarëve.
Mickoski kishte deklaruar se po ndjek me vëmendje gjendjen në institucionet shtetërore dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të funksionarëve, të cilët, sipas tij, janë larguar nga parimet mbi të cilat është ndërtuar qeverisja aktuale.
Ai kishte theksuar se vazhdimisht merr ankesa për angazhim të pamjaftueshëm nga disa ministra dhe drejtorë, si dhe për mungesë afërsie me problemet dhe nevojat e qytetarëve.
“Qeveria është zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, jo për të shijuar privilegjet e pushtetit. Çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht pranë njerëzve”, kishte deklaruar kryeministri.
Po ashtu, Mickoski kishte bërë të qartë se nuk do të tolerojë mosrealizimin e detyrimeve dhe se çdo funksionar që nuk arrin t’u përgjigjet sfidave të pozitës duhet të rishqyrtojë me përgjegjësi vendin e tij në ekipin qeveritar.


