Administrata Tatimore ka bërë publike detajet mbi zbatimin e ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore”, e njohur ndryshe si “Paqja fiskale”, duke sqaruar kategoritë e subjekteve që përfitojnë dhe procedurat që do të ndiqen.
Sipas njoftimit zyrtar, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, do të hartohet lista e plotë e tatimpaguesve që përfitojnë nga falja e detyrimeve, si dhe lista e atyre që përjashtohen nga ky proces. Njoftimet do të dërgohen elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”.
Çfarë detyrimesh përfitojnë nga falja
Për detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen plotësisht detyrimet e papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku nuk falet detyrimi principal.
Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019:
Shuhet 50% e principalit nëse pjesa tjetër paguhet njëherësh nga 10 deri më 30 qershor 2026;
Shuhet 25% e principalit nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31 dhjetor 2026.
Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen plotësisht.
Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, do të falen gjobat dhe interesat nëse principalit paguhet i plotë brenda afatit 10 qershor – 31 dhjetor 2026.
Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji:
Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, pervec kontributeve te sigurimeve shoqerore dhe shendetesore;
Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31 dhjetor 2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30 qershor 2026;
Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024;
Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31 dhjetor 2024.
Subjektet që nuk përfitojnë:
Nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore.
Subjektet që janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit;
Subjektet që kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.
Në njoftim theksohet se tatimpaguesit që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose padia, duke paraqitur kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të respektojnë afatet e pagesave për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.
NJOFTIMI EDHE NGA DOGANA
Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se ka hyrë në fuqi udhëzimi për “paqen fiskale”.
“Ka hyrë në fuqi udhëzimi për zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili përcakton procedurat dhe afatet për subjektet debitore që përfitojnë nga falja e detyrimeve.
Në kuadër të këtij procesi, administrata doganore do të vijojë evidentimin dhe trajtimin e detyrimeve të papaguara sipas periudhave përkatëse, duke u krijuar subjekteve mundësinë për të përfituar nga fshirja ose shuarja e një pjese të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave.
Sipas përcaktimeve të udhëzimit:
Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave përkatëse.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, subjektet mund të zgjedhin ndërmjet dy alternativave:
- pagesën e 50% të principalit brenda datës 30 qershor 2026, duke përfituar faljen e pjesës tjetër të detyrimit dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave;
ose
- pagesën e 75% të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.
Për detyrimet e periudhës 2020–2024, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat në rast se paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda datës 31 dhjetor 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton të gjitha subjektet debitore të paraqiten pranë degëve doganore përkatëse për të verifikuar situatën e tyre financiare, për të kuptuar nëse përfshihen në dispozitat e ligjit dhe për të vijuar procedurat administrative përkatëse.
Zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet procedurave lehtësuese të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.”


