Prokurorja Speciale Katica Janeva përjashton mundësinë që të dënuarit në rastin “Monstra” të lirohen nga burgu në rast rigjykimi. E pyetur nga Televizioni Shenja nëse nga ajo që e kanë të njohur si prokurori, ka mundësi që të dënuarit të mbrohen nga liria, Janeva e habitur u përgjigj se për herë të parë dëgjon një tezë të tillë, përcjell Almakos.
“Për herë të parë dëgjoj diçka të këtillë. Nuk është e vërtetë. Ne i kemi materialet e përgjimeve dhe po i dëgjojmë me vëmendje. Në bazë të atyre dëshmive do të veprojmë”.
Me rigjykim eventual të rastit “Monstra” ka gjasa që të propozohen biseda të përgjuara telefonike me të cilat të paktën do të tentohet të dëshmohet pafajësia e të dënuarve, ndërsa më pas në procedurë të kërkohen autorët e vërtetë të vrasjes së pesëfishtë.
Në seancën e fundit gjyqësore për rastin “Monstra” të mbajtur në Gjykatën Supreme, Prokuroria Publike propozoi rigjykim të rastit për shkak të dyshimeve të bazuar se për veprën në fjalë vuajnë persona të pafajshëm. Argument shtesë për këtë janë edhe indikacionet e mundshme se për rastin “Monstra” PSP-ja posedon edhe biseda të përgjuara të cilat mund të përdoren si dëshmi në rast se lënda kthehet në Gjykatën e shkallës së parë. Trupi gjykues i Supremes i udhëhequr nga Jovo Vangellovski, pranoi propozimin e prokurores Liljana Spasovska duke paralajmëruar vendim të Supremes ditëve në vijim. Gjykata e kësaj shkalle nuk ka afat të caktuar ligjore deri kur duhet të vendos për propozimin e organit të akuzës. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzës për vepër terroriste.
Me rigjykim eventual të rastit “Monstra” ka gjasa që të propozohen biseda të përgjuara telefonike me të cilat të paktën do të tentohet të dëshmohet pafajësia e të dënuarve.
Avokati i disa prej të akuzuarve në këtë rast Naser Raufi, tha se bisedat telefonike që i ka dëgjuar edhe vetë, janë të përgjuara në mënyrë ilegale, por për hirë të interesit publik do t’i propozojnë si prova shtesë.
“Nuk e di a ka këtë material Prokuroria Speciale, mendoj se e posedojnë, por ne si avokat nuk e kemi këtë bisedë. Është ilegale, por mendoj se do ta pranojnë pasi bëhet fjalë për interes publik”, ka thënë Raufi. Ai shtoi se në bazë të rrethanave të krijuara, avokatët mbrojtës do të kërkojnë një hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.
“Deri tani kemi bërë kërkesa tek prokuroria speciale, tani pasi u prolongua edhe kjo me dëshmitë. Duke i pritur dëshmitë të cilat i posedon Prokuroria Speciale, i kemi prit që këto dëshmi që t’i jepen gjykatës supreme, por tani nuk ndodhi kjo, tani do të kërkojmë prej ndërkombëtarëve që të na ndihmojnë për hetimin dhe për zbardhjen e rastit”, deklaroi Raufi, përcjell Almakos.
Dyshoj se ky rast është i montuar, ashtu edhe kjo lëndë penale dhe atë në mënyrë klasike, konsideron Naser Raufi, avokat i të akuzuarve në rastin “Monstra”, pasi sot në Gjykatën supreme në Shkup u mbajt seanca e hapur lidhur me rastin për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.
Sipas Raufit, dëshmitari i mbrojtur me paraqitje të ndryshme e tregon dyshimin e tij.
“Ka bërë gabime gjatë detajeve kur ka regjistruar të akuzuarit, ka përzier persona dhe nuk ka dhënë imazh të qartë. Nuk e flet të vërtetën dëshmitari, gjykata le ta shqyrtojë”, ka thënë Raufi.
Gjatë fundjavës, Bedri Ajdari kishte thënë për Televizionin Telma se ka dëgjuar bisedë telefonike me dy persona të panjohur të cilët pohojnë se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë që do të akuzonin personat e dyshuar për vrasjen e pesëfishtë, por duhet të bëhet çmos që të sigurohen prova.
Rasti “Monstra”, ka ndodhur pikërisht gjatë qeverisjes së BDI-së me VMRO- DPMNE-në. Deputeti Grubi tha se si këto parti edhe në atë kohë kanë bërë përpjekje për të zbardhur rastin, por rasti epilog pozitiv po merr tani në qeverisjen me LSDM-në, pas kushtëzimeve, sipas tij, që ky rast të jetë në agjendën kryesore të punës së Qeverisë së Maqedonisë.
Lëvizja Besa ka thënë se “meritor për zbardhjen e rastit janë shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë protestuar dhe kanë kërkuar drejtësi për të burgosurit e pafajshëm”.
Se të dënuarit mund të jenë të pafajshëm, këtë disa herë e kishte deklaruar edhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër Maqedonisë. Ai pati premtuar se do të bëjë çmos që përmes institucioneve të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën për vrasjen në Smillkovcë.
Katër nga të dënuarit për këtë rast, Halil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, po vuajnë dënimin në burgun e Shkupit, ndërsa dy të tjerë, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq po ashtu të dënuar me burg të përjetshëm ndodhen në arrati. Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare./Almakos

