Gazetari Naser Pajaziti ka reaguar lidhur me tragjedinë e rëndë të ndodhur më 16 mars në diskotekën e Koçanit, ku humbën jetën 59 të rinj dhe mbi 150 të tjerë u plagosën. Ai ka theksuar dështimet e thella institucionale dhe keqpërdorimet politike që shoqëruan këtë ngjarje të tmerrshme.
Megjithatë, Pajaziti ka vënë në pah edhe menaxhimin e shpejtë dhe të vendosur në aspektin shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Arben Taravari, duke e cilësuar këtë si një shembull të reagimit në kohë.
Ai ka theksuar se, ndonëse vendi ka mungesë kapacitetesh për trajtimin e djegieve të rënda, autoritetet shëndetësore organizuan me efikasitet transferimin e pacientëve në gjendje kritike drejt spitaleve në rajon dhe Evropë, duke siguruar kujdesin e nevojshëm për të shpëtuar jetë. “Ky reagim i shpejtë bëri që të mos përsëritej tragjedia e ngjashme që kishte ndodhur në Rumani më 2015, ku për shkak të dështimit të sistemit shëndetësor, numri i viktimave u dyfishua”, shkroi ai.
Në fund, Pajaziti ka theksuar se kjo nuk është çështje lavdërimi politik, por një fakt që tregon se kur institucionet veprojnë me përgjegjësi, jetët mund të shpëtohen. Ai gjithashtu bëri thirrje për investime të menjëhershme në shëndetësi, duke e cilësuar këtë tragjedi si një alarm për të gjithë sistemin shëndetësor në vend.