Afër 44 mijë të punësuarve në çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme pritet t’u rriten pagat. Për momentin, Qeveria nuk zbardh se sa para saktësisht do të ndahen nga arka e shtetit për rritjen prej 12 për qind të pagave, shkruan Alsat.
Sipas llogaritjeve të Alsat, në buxhetin e këtij viti janë ndarë 78 milionë euro për pagesën e pagave në arsim dhe me rritjen prej 12 për qind, do të duhet të ndahen 9,1 milionë euro shtesë në vit.
Përveç punonjësve arsimorë, paga më të larta kërkojnë edhe punonjësit e tjerë në administratë. Lidhja e Sindikatave tashmë ka filluar negociatat me zyrtarët e qeverisë që secili punonjës të marrë pagë më të lartë për 2806 denarë. Aktualisht, 132 mijë nëpunës janë të punësuar në këtë sektor. Nëse nga ky numër largohen të punësuarit në arsim, atëherë kërkesa e LSM për rritje të pagave prej 2 806 denarë duhet t’i referohet 88 mijë punëtorëve të tjerë. Rreth 48 milionë euro në vit do të duhet të ndahen nga buxheti i shtetit nëse kjo kërkesë e sindikatave plotësohet. Qeveria ka paralajmëruar ligj të ri që do t’i harmonizojë pagat e sektorit publik çdo vit me rritjen e pagës mesatare dhe rritjen e shpenzimeve të jetesës. Shteti ndan mesatarisht 500 milionë euro në vit për pagat e administratës./Alsat.mk



