Rreth 150.000 euro shteti i Maqedonisë së Veriut është detyruar që të paguaj kompensim për 24 paditë e parashtruara lidhur me shkeljen e neneve të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Këtë analizë e ka realizuar Instituti i Parlamentit, për vitet 2016, 2017 dhe 2018.
Instituti i Parlamentit
“Për 8 aktgjykimet e miratuara në vitin 2016 shteti është detyruar të paguaj gjithsej 55.780 euro personave parashtrues të padive. Për 4 aktgjykime të miratuara në vitin 2017, shteti është detyruar të paguaj gjithsej 49.960 euro parashtruesve të padive dhe në vitin 2018, për 5 aktgjykime të miratuara, shteti detyrohet të paguaj 40.580 euro prashtruesëve të padive”.
Shkelja më e madhe e neneve të Konventës në Maqedoninë e Veriut, sipas analizës është neni 6, E drejta për gjykim korrekt dhe të drejtë, duke lënë pas shkeljet e neneve, E drejta e lirisë dhe sigurisë, E drejta e respektim të jetës private dhe familjare, Liria e mendimit, vetëdijes dhe besimit, Liria e Shprehjes, Liria e bashkimit dhe tubimit dhe Mbrojtja e pronës.
Instituti i Parlamentit
“Në vitin 2016 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka miratuar aktgjykime për 12 raste të parashtruara kundër Maqedonisë së Veriut, nga persona fizik, me ç’rast në 8 aktgjykime është konstatuar shkelja e ndonjë neni të Konventës. Në vitin 2017, GJEDNJA-ja ka miratuar aktgjykime për 5 raste të parashtruara kundër RMV-së nga persona fizik dhe të gjitha kanë të bëjnë me shkeljen e ndonjë neni të Konventës. Në 2018-tën, GJEDNJA-ja ka gjykuar 7 raste dhe poashtu që të gjitha kanë të bëjnë me shkeljen e ndonjë neni të Konventës”.
Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut është gjykatë ndërkombëtare që mblidhet dhe merr vendime për aplikime të dorëzuara nga individë apo shtete, që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave qytetare dhe politike të përcaktuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata ndjek respektimin e të drejtave të njeriut për 800 milion evropian të 47 shteteve anëtare të këshillit të Evropës të cilat e kanë ratifikuar Konventën.



