Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë.
Ajo tha se historia e ka treguar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka patur sukses, çka i ka shërbyer vendit dhe banorëve të tij.
Ndërsa i konsideroi tërësish të ligjshme veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri, Presidentja Osmani shtoi se bashkëpunimi me aleatët do t’i bënte këto përpjekje të qëndrueshme, duke u reflektuar edhe në politikën e jashtme, nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtarë.
Këto komente presidentja Osmani i bëri në një intervistë për Zërin e Amerikës, nga New York-u, ku këto ditë ka zhvilluar një sërë takimesh në kuadër të aktiviteteve që mbahen paralel me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.