Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri dhe Bashkia e Tiranës kanë prezantuar sot nismën “Shtigje Rinore”, me qëllim për të nxitur bashkëpunimin mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor, raporton AA.
Sipas zyrës së OSBE-së në Shqipëri kjo nismë që parashikon disa aktivitete e organizuar në bashkëpunim me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), synon të promovojë bashkëpunimin mes të rinjve në Ballkan.
Me aktivitetin e sotëm të prezantimit ku merrnin pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, sipas organizatorëve, synohej që të ftohen të rinjtë e Shqipërisë që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e nismës “Shtigje Rinore”, me qëllim që të përqendrohet vëmendja tek roli i të rinjve në ndërtimin e shoqërive demokratike dhe nxitjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Dhjetëra të rinj nga Ballkani Perëndimor do të kenë mundësi që të marrin pjesë në sesione trajnimi dhe diskutimesh si dhe në aktivitete në natyrë në Tiranë në kuadër të kësaj nisme rajonale.
Veprimtaritë në kuadrin e kësaj nisme do të zhvillohen në muajin shtator, në zona të ndryshme të Tiranës.