Alsat 2019-09-17T15:04:16+02:00
Derisa Qeveria nuk i ka kthyer përgjigje opozitës për kundërshtimet që kjo e fundit i bëri tekstit të Ligjit mbi Prokurorinë Publike, VMRO-DPMNE-ja sot ka propozuar formimin e një Komisioni anketues për mbikëqyrjen e punës së PSP-së. Sipas tyre, komisioni duhet të konstatojë atë që thuhet në raportin e Këshilli të Prokurorëve Publik, punën jo profesionale, jo ligjore dhe të pandërgjegjshme të Speciales si institucion. Opozita kërkon që ta propozojë kreun e komisionit, ndërsa kërkon nga subjektet tjera të përfshihen në proces.
Mënyra e punës materiale dhe financiare, respektimi i procedurave ligjore dhe rregulloret e brendshme të PSP-së, ligjshmëria e procedurave para punësimit, vërtetimi i konflikteve të mundshme të interesit apo nepotizmit, si dhe harxhimi i mjeteve mbi honorare të dyshimta, si dhe marrëveshjet për ruajtjen e sekretit për të cilin konsiredojmë se bie në kundërshtim me ligjit pasi që vetëm dispozitat ligjore kërkojnë një gjë të tillë nga prokurorët”-tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Milloshoski konsideron se iniciativa e tyre nuk bie ndesh me punën e Komisionit anti-korrupsion dhe as Revizionin Shtetëror pasi që konstatimet nga ky komision do të lehtësonin edhe më tepër punën e tyre. Socialdemokratët kundërshtojnë propozimin e opozitës. Thonë se njerëz të dyshuar nuk mund të shqyrtojnë punën e PSP-së.
Antonio Milloshoski i dyshuar në lëndë të Speciales dëshiron ta shqyrtojë punën e Speciales?! Për mua është e papranueshme. Është e dukshme paniku në VMRO-DPMNE duke vazhduar ta mbrojnë krimet dhe kriminelët brenda partisë. Mund t’ju them me siguri se ashtu siç nuk arritën t’i ndalojnë lëndët e PSP-së, gjithashtu nuk do të mund të shpëtojnë nga përgjegjësia”-theksoi Kosta Kostadinov, deputet i LSDM-së.
Opozita ditë më parë iu përgjigj negativisht propozimit të pushtetit për ndarjen e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion në dy organe të veçanta. Sipas tyre, modeli më i mirë është ai aktual, ndërsa në përgjigje propozoi edhe modalitetet për zgjedhjen e prokurorit për krim të organizuar. VMRO-ja kërkon që shefi i këtij organi t’i takojë opozitës, ndërsa procedura të zhvillohet përmes Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Kuvendit dhe Këshillit të Prokurorëve. Ndërkohë nuk ka informacione zyrtare për fatin e grupeve të punës mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Ditë më parë kryeministri Zoran Zaev deklaroi se pret sinjal pozitiv nga grupet e punës, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska theksoi se presin nga liderët të njoftohen kur mund të vazhdojnë takimet për marrëveshje thelbësore.
Adrian Kerimi
Loading…




