Shqipëria hyn sot në ditën e 46-të të protestës qytetare, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se revolta nuk do të ndalet as gjatë sezonit veror.
Edhe këtë mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë protestën kundër qeverisë së Edi Ramës dhe gjithë klasës politike.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare, e cila prej 46 ditësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit, ndryshimin e sistemit politik dhe, sipas protestuesve, ndërtimin e një Shqipërie të re.
Ditët e fundit aktivistët kanë ritheksuar se nuk do të ketë asnjë ndërprerje të protestës gjatë verës. Ata deklaruan se qytetarët do të vazhdojnë të dalin çdo mbrëmje në shesh deri në muajin shtator, duke e cilësuar qëndresën si mënyrën e vetme për të mbajtur presion ndaj qeverisë.
Gjatë protestës së 45-të, nuk munguan thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa nga podiumi u bë thirrje që pjesëmarrja të rritet çdo ditë.
Organizatorët kanë ftuar sërish qytetarët nga e gjithë Shqipëria, por edhe diasporën, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se “nuk ka pushime për revoltën” dhe se tubimet do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në realizimin e kërkesave të saj.



