Nuk ka asgjë nga njoftimet e Ministrisë së Shëndetësisë që i dha më 2 nëntor se do të zgjidhet problemi me mungesën e mjekëve pediatër në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit. Që atëherë kanë kaluar më shumë se dy javë dhe dy pediatër nuk janë gjetur ende. Reparti i fëmijëve funksionon vetëm si ambulantë e zakonshme, me dy pediatër, njëri prej të cilëve do të dalë në pension pas Vitit të Ri. Mjeku Zeqir thotë se kanë punuar në ekipimin e repartit për të filluar me punë normale.
“Për funksionimin minimal të shërbimit 24-orësh duhen minimum pesë mjekë. Ndërsa, ka edhe nga gjashtë deri në shtatë mjekë. Gjithçka që do të bëhet edhe më tej vitet e ardhshme do të jetë arnim”, tha Orhan Zeqir – shef i repartit për fëmijë në Ohër.
Alsat e ka pyetur sot Ministrinë e Shëndetësisë se kur mund t’i presin qytetarët e Ohrit mjekët pediatër dhe nga ku do t’i sjellin, por nuk morëm përgjigje. Problemi qëndron edhe në mungesën e specializantëve.
“Kemi dy specializante, të cilat në rastin më të mirë do të vijnë pas katër deri në pesë vjet. Dhe përsëri dy, çfarë janë dy. Të paktën në 15 vitet e fundit këtu nuk është liruar asnjë mjek pediatër, megjithëse në shumë raste kemi kërkuar që të lirohet. Dhe deri tani duhet të ishin gati. Thjesht nuk kishte mirëkuptim”, u shpreh Orhan Zeqir – shef i repartit të fëmijëve në Ohër.
Në Ohër 80% e mjekëve pediatër janë në pension.
“Me përpjekje mbetemi të punojmë dhe të ndihmojmë. Ishte parashikuar se do vijë një situatë e tillë. Kemi bërë analizë dhe ua kemi treguar strukturave 10 vite më parë, por askush nuk ndërmori masa serioze për ta rregulluar”, theksoi Nikola Filev – pediatër amë.
Për shtrimin në spital, kontrollet në fundjavë dhe gjatë natës, banorët më të vegjël të Ohrit detyrohen t’i bëjnë në Strugë. E gjithë kjo ndodh në një kohë kur numri i fëmijëve që janë të prekur nga Covid 19 rritet. Edhe në Strugë nga gjashtë pediatër, tre janë në pension. Të njëjtët mjekë, përveç repartit të pediatrisë, shërbejnë edhe në repartin e neonatologjisë, ku edhe numri i shtretërve është i kufizuar. Ata kanë vetëm 17 shtretër dhe tetë të tjerë në klinikën ditore./Alsat.mk