Alsat 2019-03-31T14:05:34+02:00
Një vit pasi Ohri dhe rrethina u goditën nga një stuhi e madhe, pronarët e objekteve të dëmtuara hotelierike ankohen se nuk kanë marrë asnjë denarë, nga dëmshpërblimet e paralajmëruara nga shteti. Ata thonë edhe pse i kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara me kohë, askush nuk i ka njoftuar ata nëse do të marrin diçka apo jo.
“Unë pres që kjo të zgjidhet nga komuna dhe qeveria. Por, kemi përvoja të këqija në disa raste të tjera. Shpresoj se këtë herë do të jetë ashtu siç duhet, dhe nuk do të ndodhin vonesa. Sezoni i ri është në prag, pas 20 ditëve, Ohri duhet të ringjallet”, tha Dimitar Zarçev, hotelier.
Komisioni lokal për vlerësimin e dëmeve në Ohër, thotë se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, elaborati të cilin e kanë përgatitur për dëmet mori dritë jeshile. Vlerësimi i përgjithshëm i dëmeve pas vërejtjeve që i kanë marrë nga komisioni qeveritar është rreth 19 milionë denarë, ose 300 mijë euro.
“Do të ketë dëmshpërblim, prandaj tani si komision jemi duke pritur një njoftim nga qeveria, sa për qind do të jetë dëmshpërblimi “, deklaroi Rade Veljanoski, Komisioni i vlerësimit të dëmeve Ohër.
Dhe pavarësisht nga reagimet publike se një pjesë e madhe e platformave të objekteve hotelierike, që pësuan nga stuhia janë të paligjshme, Veljanoski thotë se pronarët i kanë dërguar komisionit qeveritar dokumente shtesë.
“Komisioni qeveritar na kërkoi dëshmi për pronësinë për të gjithë ata që kanë paraqitur kërkesë. Ne i kontaktuam të dëmtuarit dhe i sollën kontratat”, deklaroi Rade Veljanoski, Komisioni i vlerësimit të dëmeve Ohër.
Gjithsej 129 kërkesa për kompensim arritën te komisioni në Ohër. Praktika e deritanishme tregon se shteti dëmshpërblen deri në 15% të dëmit të pësuar.
Miki Trajkovski
Loading…



